Mes gëzimit të arkeologëve-Dea e Butrinit,
Dea e bukur, e dashuruar,
Si një nimfë e ndrojtur, e sinqertë,
Me bukurinë e saj të pafajshme.
Flenë arkeologët.
Gjumi i tyre s’është si i gjithë njerëzve,
është tjetër gjumë,
Në gjumë ata hapin dyert e shekujve
Hyjnë në dhoma mbretërore
E pushtojnë kohërat pa britma,
pa bujë!
Dea mes tyre.
Prap ka frikë mos vijnë ata që çmendeshin pas saj
e ta grabisin,
Dea pret të vijë i dashuri ta marrë në kalë,
si i kishte thënë,
Ka frikë se mos ia vrasin rrugës e vetë robinë e nisin...
Po hesht qyteza arkeologe,
Veç ëndërrat pshpërisin
Këtë natë mesjete pa yj’ e pa hënë.
Diç pëshpërisin dhe arkeologët,
E dashurojnë që të gjithë këta njerëz të thjeshtë, hijerëndë,
Mes tyre ajo ka hyrë si mes këngëve të aedëve
Që çmendeshin pas saj dhe e fusnin në këngë.
Po nata arkeologe qënke e gjatë, shumë e gjatë,
Për këta profesorë që në gjumë kokën kanë mbështetur
tek Dea, në gjoks,
Që thënë troç, në ëndrra me Dean i tradhtuan gratë,
Dhe s’kuptonin se ç’ish në shekuj ky kaos!!
Se turbullirë kishin meridianë e paralele, gjithë bota,
Se s’ish kund as trupi, as gjoksi, as krahët,
veç koka....
Mes arkeologëve – Dea e Butrintit,
Dea e bukur, e dashurueme,
Me dlirësinë e bukurinë e saj të rrallë,
të pa restaurueme!









